• недела, 11 јануари 2026

Uitkof: Është arritur përparim i konsiderueshëm n[ë negociatat për sigurinë dhe ripërtëritjen e Ukrainës

Uitkof: Është arritur përparim i konsiderueshëm n[ë negociatat për sigurinë dhe ripërtëritjen e Ukrainës

Paris, 7 janar 2025 (MIA) - I dërguari i posaçëm amerikan, Stiv Uitkof deklaroi se SHBA-ja dhe aleatët e Ukrainës nga i ashtuquajturi "Koalicioni i të përgatiturve" kanë arritur përparim të konsiderueshëm në negociatat për çështje kyçe lidhur me sigurinë dhe rikuperimin ekonomik të Ukrainës.

"Është arritur përparim i konsiderueshëm në disa drejtime kritike", tha Uitkof,  përfshirë edhe një kornizë për garancat dypalëshe të sigurisë dhe një të ashtuquajtur 'plan për prosperitet' për Ukrainën. Ai këtë e kumtoi në një postim në rrjetin social X pas takimit të aleatëve në Paris.

"Me Koalicionin dakordohemi se garancat e qëndrueshme të sigurisë dhe angazhimet e qëndrueshme për prosperitet janë thelbësore për paqen e qëndrueshme në Ukrainë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në këtë drejtim", shkroi Uitkof.

Paraprakisht, ai njoftoi se delegacioni amerikan do të vazhdojë bisedimet me palën ukrainase të martën dhe të mërkurën në Paris. "Sonte dhe nesër do të vazhdojmë bisedimet me delegacionin ukrainas dhe shpresojmë të arrijmë një moment pozitiv shtesë në të ardhmen e afërt", tha Uitkof, transmeton TASS.

Në një deklaratë të veçantë, Uitkof tha se palët ishin “shumë afër finalizimit të një marrëveshjeje jashtëzakonisht të qëndrueshme për prosperitet – që rrallë arrihet pas konflikteve ushtarake”. Ai shtoi se SHBA-ja u inkurajua nga "qasja e bashkëpunimit dhe partneritetit” midis pjesëmarrësve në takimin e Koalicionit të të përgatiturve.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se aleatët e Kievit kishin përcaktuar tashmë se si do të vepronte një forcë parandaluese evropiane në Ukrainë pas një armëpushimi të mundshëm, si dhe cilat vende do të merrnin pjesë në të. Zelenski e bëri njoftimin për gazetarët në Paris pas takimit.

Ai shtoi se Ukraina ka zhvilluar "bisedime konkrete me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” lidhur me monitorimin e një armëpushimi të mundshëm dhe shprehu pritjen që garancitë e sigurisë të nënshkruheshin sa më shpejt të ishte e mundur. Sipas tij, garancitë e dakordësuara në kuadër të "Koalicionit të tëpërgatiturve" duhet të veprojnë paralelisht dhe në koordinim të ngushtë me garancitë nga SHBA-ja.

Presidenti francez Emanuel Makron theksoi se mbështetja e SHBA-së për garancat e sigurisë është me rëndësi thelbësore për shumë vende, duke vlerësuar se në javët e fundit ka pasur një "ndryshim në qëndrimin e Uashingtonit". Sipas Macron, SHBA-ja tashmë e kanë sqaruar formatin e pjesëmarrjes së tyre, duke përfshirë edhe në fushën e monitorimit të vijës së frontit në Ukrainë.

Mbështetje për marrëveshjet e arritura shprehi edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e cila tha se takimi i liderëve në Paris kishte mundësuar "forcimin e garancive të sigurisë", duke përfshirë edhe përmes një ushtrie më të fortë ukrainase, të mbështetur nga forcat shumëkombëshe dhe me pjesëmarrjen e SHBA-së.

Kryeministri britanik Kir Starmer vlerësoi se vendet ishin "më afër paqes në Ukrainë se kurrë më parë", por paralajmëroi se "hapat më të vështirë janë akoma përpara". ab/

Fotо: ЕPА

Остани поврзан